Duke qenë se është rritur në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, Becky G e fliste mirë gjuhën angleze, por këndonte këngë tradicionale në gjuhën spanjolle. Gjatë gjithë jetës ajo kishte ëndërruar ta realizojë një album i cili i nderon rrënjët e familjes së saj dhe gërmon në ato zhanre që i pëlqejnë aq shumë.
“Mendoj se albumi ‘Esquinas’ është 200 për qind përfaqësim o asaj se kush jam unë. Është një kryqëzim rrugësh, më kuptoni çfarë dua të them, feston dy flamuj, dy kultura, dy gjuhë. Njerëzit shumë shpesh më thoshin je shumë meksikane për amerikanët ose shumë amerikane për meksikanët. Nuk ke sit ë qëndrosh në mes. Dhe kjo ishte shumë e vështirë për ta përballuar si e re. Më pas, kur më thoshin se jam 50 për qind meksikane dhe 50 për qind amerikane, gjithmonë mendoja me vete, pse duhet të heq dorë nga 50 për qind e vetvetes për t’u pranuar nga shoqëria. Mendoj se ekziston një gjeneratë e tërë e të rinjve që ndihen njësoj sikur unë. Ne jemi shumë krenarë për prejardhjen tonë dhe për historinë prapa mbiemrave tanë. Prandaj, mendoj se ‘Esquinas’ është një letër dashurie për gjyshërit e mi, për veten time kur isha fëmijë dhe më pas shpresoj që edhe për gjeneratat e ardhshme që inspirohen çdo ditë nga rrënjët e familjes së tyre”, tha Becky G në një intervistë të fundit.
Albumi i ri i këngëtares latine vjen i prodhuar nga producenti i nominuar për çmim “Latin Grammy”, Édgar Barrera. Fillimisht, Becky donte të realizonte muzikë tradicionale për t’i treguar publikut se ka mundësi të interpretojë në zhanret tipike meksikane. Prandaj edhe përfshiu elemente të instrumenteve të tilla si, tromba dhe kitara akustike. Por, derisa projekti evoluonte, në të zinin vend më shumë tinguj alternativ dhe bashkëpunime me gjenerata të reja të artistëve rajonalë të muzikës meksikane si, Iván Cornejo, DannyLux dhe Peso Pluma.
Derisa ky është albumi i tretë në gjuhën spanjolle i këngëtares Becky G, ajo thotë se lansimi i këngës “Chanel” ishte hera e parë që adhuruesit e kishin dëgjuar ta përdorë një tingull të zërit të saj që është shumë më ndryshe.
Në këngën “Querido Abuelo”, ajo flet për rrënjët e familjes dhe njerëzit që i do më së shumti. Prej se ishte e vogël, ajo kishte biseduar me gjyshërit e saj për ta realizuar një projekt të inspiruar plotësisht nga muzika rajonale meksikane. Prandaj, pas vdekjes së gjyshit Miguel, ajo kishte vendosur që ishte koha të fokusohej në realizimin e këtij projekti.
Becky tutje ka bërë të ditur se planifikon ta organizojë një ndejë për familjen e saj me rastin e lansimit të albumit. Por, festën më të madhe do ta ketë me fansat gjatë turneut “Mi Casa, Tu Casa”, që për herë të parë e dërgon nëpër qytete të ndryshme të Amerikës. Turneu ka filluar në Boston dhe do të vazhdojë me koncerte në El Paso, Texas, San Diego dhe Los Angeles.“Ky është turneu im i parë dhe ndihem shumë me fat dhe e nderuar që kam mundësinë që bashkë me fansat e mi të dashur ta festoj një moment historik të karrierës sime, siç është albumi i tretë i incizuar në studio dhe një prej projekteve që e kam më së shumti për zemër. Turneu ‘Mi Casa Tu Casa’ e shënoi debutimin në skenën e festivalit ‘Coachella’, prandaj mundësia për ta dërguar atë nëpër qytete të ndryshme të Amerikës, afër adhuruesve të mi, është një përvojë shumë e veçantë. Jam shumë e lumtur për këtë”.
Becky G shquhet për hite të shumta muzikore që i numërojnë qindra miliona klikime si, “Mami”, “La Respuesta”, “Can’t Stop Dancin”, “Shower” dhe të tjerë.
Përgatiti: Edona Binakuwatch


