Çavi Hernandez u shfaq përpara mediave për të vlerësuar ndeshjen kundër Shahtjor Donjetskut. Trajneri i Barcelonës, i cili paralajmëroi se ekipi ukrainas është një kundërshtar më i vështirë nga sa duket, u ndal të komentonte edhe “El Clasico”-n e së shtunës në “Montjuïc” dhe shtoi se Ançeloti ka të drejtë kur thotë se nuk mund të flitet për arbitrat për shkak të rrezikut të sanksioneve.

“Ndeshja me Shahtjorin do të jetë vendimtare. Janë pikë vendimtare për objektivin për të shkuar në fazën e 1/8-ave. Ata janë një skuadër e vështirë, dinamike, rival i fortë. Ata nuk kanë frikë, luajnë me gëzim dhe në sulm. Ne jemi të paralajmëruar. Nëse mendojmë se është e lehtë, atëherë do të ekzistojë mundësia për të na mundur,” than ë fillim tekniku katalonas.

Çavi paralajmëroi gjithashtu se Barcelona nuk mund ta përdorë krizën e dëmtimeve dhe ndeshjen e tyre të ardhshme në La Liga kundër Realit të Madridit si justifikim për një paraqitje të dobët në sfidën e Ligës së Kampionëve, kundër ukrainasve. Ata kryesojnë Grupin H me 6 pikë pasi i kanë fituar dy ndeshjet e para pa pësuar gol. Portugezët e Portos janë të dytët me tri pikë dhe renditen përpara Shahtjorit të vendit të tretë prej diferencës së golave. Në La Liga, kampionët e Barcelonës janë të tretët, pas liderit Real Madridit dhe Xhironës së vendit të dytë me një pikë.

“Nuk kam nevojë t’ia heq mendjen askujt nga ndeshja e së shtunës kundër Realit të Madridit, sepse Liga e Kampionëve të bën të fokusohesh dhe të ndez… Ne nuk mund të humbasim përqendrimin. Mendoj se Ançeloti ka të drejtë për arbitrat. Nëse ti flet, ata të dënojnë me dy ndeshje. Jam dakord me të për këtë pjesë. Mes Realit dhe Barcelonës ka harmoni mes klubeve. Tensioni nuk sjell asgjë të mirë. Është një rivalitet pozitiv, por ka edhe respekt dhe admirim gjithashtu. Është vetëm një ndeshje futbolli. Ne jemi të fokusuar te ndeshja,” tha mes tjerash trajneri i Barcelonës, Çavi Hernandez.