Një grup prokurorësh të SPAK ndodhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një vizitë zyrtare në Uashington.

 

Pjesë e delegacionit është kreu i këtij institucioni, Altin Dumani, si dhe prokuroret Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët po hetojnë dosjen e Sali Berishës dhe dhëndrit Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

 

Lajmin e ka bërë të ditur ambasada amerikane, në një postim në rrjetin social Facebook, e cila shkruan se zyrtaret e SPAK-ut u takuan me drejtuesit kryesorë të departamentit të drejtësisë dhe programit ndërkombëtar të ndihmës për trajnimin ne hetimet penale.

 

Prokurorët e SPAK diskutuan gjithashtu sfidat e sigurisë me shërbimin marshall të Shteteve të Bashkuara, i cili mbron gjyqtarët, prokurorët, stafin e gjykatës dhe dëshmitarët federalë të Amerikës.

 

Vizita do të përfshijë gjithashtu takime në departamentin e shtetit, atë të drejtësisë, administratën kundër narkotikëve DEA dhe byronë federale të hetimit FBI.