Deputeti Tritan Shehu i PD, ish- ministër i Jashtëm i vendit, është ndër të parët politikanë shqiptarë sot që e ka përshëndetur kandidaturën e politikanit shqiptar Bujar Osmani për President të Maqedonisë së Veriut, propozuar nga BDI.

Në shënimin e tij në Fb, Tritan Shehu ka shprehur vlerësimet më të larta për Osmanin, që mban postin e ministrit të Jashtëm të vendit fqinj.

“Bujar Osmani, Presidenti që i duhet Maqedonisë së Veriut, – ka shkruar Shehu. – Ali Ahmeti, me një arsyetim të elaboruar dhe realist paraqiti kandidaturën e Bujar Osmanit për President të atij shteti. I uroj sukseset më të mira Bujarit!

Një politikan me eksperiencë, i qetë e luftarak në mbrojtje të vlerave; një “qender graviteti” bashkimi popullor, njerëzor e politik njëkohësisht. Gjykoj – bashkues jo vetëm për shqiptarët aty, që besoj se do ta mbështesin në union, por bashkues edhe për maqedonasit etj. me moderimin, vizionin e gjerë e europian të tij, që i duhet atij vendi; një diplomat i shquar me vlerësime maksimale të gjithanshme ndërkombëtare; një europeist e pro Perëndimor tashme i sprovuar.

Urimet me të mira Bujarit, të gjithë miqve, atij vendi shumë të rëndësishëm për stabilitetin e integrimin e rajonit tonë! Suksese!”