Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit serb, Ivan Stoilkovic për punësimin e 3.000 shqiptarëve nga Artan Grubi, ka reaguar edhe kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Në një prononcim për media, Kasami është reshtuar krah Stoilkovicit dhe ka pohuar se punësimi i shqiptarëve është bërë përmes manipulimeve.
“Ne e dimë që aty ka pasur manipulime. Ne e dimë që aty ka pasur punësime fiktive të cilët kanë marrë rroga dhe nuk kanë shkuar në punë. E dimë gjithashtu që qeveria e mori një vendim që gjithë këta të punësuar nga Ministria, më herët Sekretariati, të transferohen nëpër institucione. Një pjesë e tyre janë transferuar, një pjesë ende nuk janë transferuar, atë që e kemi pasur si qasje në Komunën e Tetovës, atë do ta kemi edhe në pushtetin qendror. Nuk lejojmë dhe nuk tolerojmë që dikush të marrë rroga dhe të mos shkojë në punë. Çdokush që do të jetë i sistemuar në një institucion, do të transferohet në atë institucion, do t’i krijohen kushte që të shkojë në punë, ata që nuk do të shkojnë në punë, sigurisht në bazë të ligjit, nëse nuk paraqiten në vendin e punës, do të duhet të shkojnë në shtëpi”, deklaroi mes tjerash Kasami.

