Anton Gerashchenko, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Ukrainë, iu ka bërë thirrje shteteve aleate që ta ndihmojnë Ukrainën me avionë ushtarakë F-16. Ai publikoi thirrjen në Twitter, duke kërkuar që njoftimi të shpërndahet masivisht pasi është “jashtëzakonisht i rëndësishëm”.

Gerashchenko tha se nëpërmjet furnizimit të Ukrainës mbrohet jo vetëm qielli ukrainas, por i tërë Evropës.

“Lufta më e madhe e shekullit është ndezur në kontinentin evropian. Ukraina ka gjakderdhje të rëndë. Paqja e qëndrueshme është e pamundur pa një fitore të Ukrainës. Fitorja dhe paqja varen drejtpërdrejt nga llojet e armëve të cilat furnizohen dhe shpejtësia e dorëzimit të tyre”, shkroi zyrtari ukrainas.

Ai tha se ushtarët dhe civilët ukrainas po e paguajnë me gjakun e tyre sigurinë në Evropë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë furnizueset më të mëdha për ushtrinë ukrainase.

Në të dhënat e fundit thuhet se SHBA-ja ia ka dhuruar Ukrainës mbi 75 miliardë dollarë ndihma.