Baza e re ajrore në Kuçovë do ta forcojë praninë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, është shprehur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Me një mesazh në rrjetin “X”, presidentja Osmani iu referua investimit të Shqipërisë dhe NATO-s për bazën ushtarake, që qeveria shqiptare thotë se dëshmon përkushtimin e vendit ndaj sigurisë kombëtare dhe Aleancës.
“Hapja e Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë, Shqipëri, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së Aleancës në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar në rritjen e sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë. Aty ku është NATO, ka paqe dhe stabilitet!” shkroi znj. Osmani.
Baza e re në Kuçovë do të inaugurohet me ceremoni shtetërore, ku pritet të marrin pjesë krerët më të lartë si edhe përfaqësues të NATO-s.
Investimi mbi 50 milionë euro, thuajse i tëri nga aleanca ushtarake e Atlantikut Verior, është planifikuar të ndiqet nga aplikimi për bashkëfinancimin e bazës së re detare në Porto Romano.