
Pas fitores me përmbysje ndaj Selta Vigos, Barcelona udhëton të martën për në transfertë ndaj Majorkës së Vedat Muriqit. Në konferencën për shtyp, trajneri Çavi Hernandez theksoi se Majorka është një rival i vështirë pasi ka lojtarë të fortë si Muriqi. Ndër të tjera, i pyetur nëse Barça e tij ka një organikë më të mirë se ajo e Realit, Çavi u shpreh se vetëm në muajin qershor do të kuptohet se kush është skuadra më e mirë në La Liga.
“E dimë fare mirë që Majorka është një skuadër shumë e vështirë për t’u përballur. Punojnë mirë në repartin difensiv, punojnë me një linjë prej pesë lojtarësh në mesfushë dhe pastaj në sulm kanë lojtarë si Muriqi apo Amat. Do të jetë padyshim një ndeshje e komplikuar në një fushë të vështirë. Duhet të shfrytëzojmë hapësirat.
A ka Barcelona një organikë më të mirë se ajo e Realit?
Këtë mund ta themi vetëm në muajin qershor. Varet nga mënyra si e shohim futbollin, por në fundin e sezonit bëhen llogaritë. Unë jam i lumtur për lojtarët që kam në dispozicion, por nuk bëj krahasime me Realin”, u shpreh Çavi.


