Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Eskobar sot pasdite, me takimin me presidentin Stevo Pendarovski, e filloi vizitën dyditëshe në vend.
Sipas paralajmërimve, gjatë qëndrimit në Shkup, Eskobar nesër duhet të takohet me kryeministrin Dimitar Kopvaçevski, si dhe me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristian Mickoski.
Ardhja e Eskobarit në Shkup pason pas fillimit të procedurës kuvendore për miratim të ndryshimeve kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë si kusht që vendi ta mbajë konferencën e dytë ndërqeveritare dhe t’i vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian.
Diplomati i lartë amerikan në debatin për Ballkanin Perëndimor në Kongresin e SHBA-së, të mbajtur gjatë korrikut të këtij viti, deklaroi se SHBA-ja e mbështetë fuqishëm procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe është e angazhaur me qeverinë e re në Sofje të sigurojnë se nuk do të parashtrojë kërkesa të reja në rrugën evropiane të vendit.
“Në mënyrë që t’i avancojë aspiratat e veta për në BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar të zbatohen ndryshimet kushtetuese për njohje të pakicës bullgare. Fuqishëm e mbështesim këtë hap të rëndë, por të domosdoshëm, dhe gjithashtu jemi të angazhuar me qeverinë e re të Bulglarisë që të sigurohemi se nuk do të parashtrojë kërkesa të reja pasi që maqedonia e Veriut t’i përmbushë obligimet e veta nga marrëvehsjet ekzistuese”,tha Eskobar në debatin në Kongres, ku e prezantoi raportin për angazhimin e SHBA-së në Ballkan.

