
Disa shpërthime tronditën qiejt mbi kryeqytetin e Ukrainës, Kievin, teksa forcat ruse kryen sulme të pazakonta ajrore gjatë ditës në kryeqytetin ukrainas. Bombardime kishte edhe gjatë natës. Sulmi, i dukshëm në qiejt mbi kryeqytetin ukrainas, filloi menjëherë pasi sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në orën 11, duke bërë që shumë njerëz të kërkonin strehim në stacionet e metrosë dhe nëpër bodrume. Dëshmitarët okularë thanë se dëgjuan të paktën dhjetë shpërthime në Kiev, ndërsa qielli mbi qytet u mbush me re tymi.
Administrata ushtarake e qytetit tha se mbrojtja ajrore rrëzoi të 11 raketat Iskander të lëshuara nga Rusia në Kiev gjatë sulmit të ditës. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje banorëve të strehohen, duke thënë se “sulmi në Kiev vazhdon”. Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë në Ukrainë pas një periudhe prej gati dy muajsh më të qetë, duke sulmuar objektet dhe furnizimet ushtarake disa herë në javë. Kievi ishte sulmuar edhe gjatë natës, ndërsa një natë më parë, kishte pësuar atë që po përshkruhet si vala më e madhe e sulmeve ajrore me dronë nga forcat ruse.


