Pak burra në moshë për të luftuar kanë mbetur në këtë fshat në jugperëndim të Ukrainës dhe ata që kanë mbetur kanë frikë se do të thirren në çdo moment.
Fqinjët e tyre janë tashmë qindra kilometra në lindje në llogore në vijat e frontit. Disa janë vrarë ose plagosur. Disa janë zhdukur. Të tjerë nga kjo zonë rurale – rreth 70 km larg kufijve të Rumanisë dhe Moldavisë – kanë ikur jashtë vendit ose kanë gjetur mënyra për të shmangur luftën, ose me përjashtime legjitime ose duke u fshehur.
“Është thjesht një fakt,” tha Larysa Bodna, zëvendësdrejtoreshë e shkollës lokale, e cila mban një bazë të dhënash të nxënësve, prindërit e të cilëve janë të dislokuar. “Shumica prej tyre janë larguar.”
Ukraina ka nevojë dëshpërimisht për më shumë trupa, me forcat e saj të pakësuara nga vdekjet, dëmtimet dhe rraskapitja. Pavarësisht nga viktimat e mëdha të Rusisë, pushtuesit ende janë më të shumtë në numër se mbrojtësit e Ukrainës, një avantazh që po e ndihmon Moskën të përparojë në fushën e betejës. Parlamenti i Ukrainës po debaton një projektligj për të zgjeruar grupin e rekrutimit, pjesërisht duke ulur moshën e rekrutimit në 25 vjeç nga 27 që është, por pak vendime po merren në Kiev që do t’u përgjigjen shpejt nevojave urgjente të ushtrisë.
Civilët këtu thonë se kjo do të thotë se rekrutuesit ushtarakë po rrëmbejnë këdo që munden. Në perëndim, aksioni i mobilizimit ka mbjellë vazhdimisht panik dhe pakënaqësi në qytete dhe fshatra të vegjël bujqësore si Makivi, ku banorët thanë se ushtarët që punojnë për zyrat e rekrutimit bredhin rrugëve pothuajse të zbrazëta duke kërkuar për burrat e mbetur. Taktika të tilla kanë bërë që disa të besojnë se burrat e tyre po shënjestrohen në mënyrë disproporcionale në krahasim me rajone të tjera ose qytete më të mëdha si Kievi, ku është më e lehtë të fshihesh.
Vendasit përdorin kanalet Telegram për të paralajmëruar për praninë e ushtarëve dhe për të ndarë videot e trupave që detyrojnë burrat të hyjnë në automjetet e tyre – duke nxitur thashethemet për rrëmbime. Disa burra tani po vuajnë dënimin në burg për refuzimin për t’u rekrutuar.
“Njerëzit po kapen si qentë në rrugë,” tha Olha Kametyuk, 35 vjeçe, burri i së cilës, Valentini, 36 vjeç, u thirr në qershor nga ushtarët që iu afruan dhe i kërkuan letrat e tij pasi ai ndaloi për kafe në rrugën kryesore jashtë Makivit. Pavarësisht diagnozës së osteokondrozës, një çrregullim i kyçeve, ai e kaloi ekzaminimin mjekësor për 10 minuta, tha ajo, dhe u çua në front, ku u plagos.
“I gjithë fshati u mor në këtë mënyrë,” tha nëna e Valentinit, Natalya Koshparenko, 61 vjeçe.
“Pothuajse të gjithë burrat tanë janë marrë,” tha Serhii, 47 vjeç, një ushtar këmbësorie nga Makivi, i cili u rekrutua në mars të vitit 2022 dhe shërben në brigadën 115 të Ukrainës.
Në shtëpi për një pushim të shkurtër këtë muaj për herë të parë në një vit, Serhii tha se ai ishte ndaluar dhe ishte marrë në pyetje. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe me djalin e tij, i cili është vetëm 22 vjeç dhe ende nuk ka të drejtë të rekrutohet. Washington Post po e identifikon Serhiin vetëm me emrin e tij për shkak të rrezikut të pasojave.
Kur ushtarët e kuptuan se ai tashmë ishte ushtar, tha ai, ata e pyetën se ç’mendonte për burrat “që nuk kanë parë asnjë ditë të vetme lufte” – të cilën ai tha se e konsideronte si një shfaqje të detyruar dhe të zbrazët fryme shoqërie. Serhii tha se ai u përgjigj duke thënë se ishin ata, jo bashkëfshatarët e tij, që i përçmonte më shumë.
“Ju jeni ushtarakë dhe unë jam civil, por unë po luftoj dhe ju jo”, tha ai. Biseda, vuri në dukje ai, “përfundoi menjëherë”.
Oleksii, 30 vjeç, po rregullonte makinën e tij vitin e kaluar kur ushtarët iu afruan dhe i dhanë një urdhër rekrutimi. Ishte Shën Valentini dhe lajmi i shkoi të dashurës së tij, Elvirës, e cila punon në një dyqan të vogël në Makiv dhe pothuajse nuk futi gjë në gojë për javë të tëra më pas. Oleksii e pranoi fatin e tij, por përvoja e tij ka shërbyer si një paralajmërim për të tjerët për realitetet në front.
Pas tre tronditjeve dhe plagëve nga predhat, Oleksii është kthyer së fundmi në shtëpi. Duke kontrolluar në telefonin e tij, ai tregoi një foto të tij me më shumë se një duzinë trupash. Vetëm dy janë ende gjallë, tha ai.
Këtë muaj, fshatarët në Makiv varrosën një tjetër bir të tyrin – Ihor Dozoretsin, një ushtar me kontratë i cili u plagos aq rëndë sa djali i tij, gjithashtu ushtar, e identifikoi atë vetëm nga një shenjë në dorë. “Ai donte të kthehej në shtëpi,” tha motra e Ihorit, Inna Melnyk, 43 vjeçe, mes lotësh. “Ishte i lodhur nga gjithçka. Por ç’mund të bëjmë ne?”
Vasyl Hrebeniuk, 70 vjeç, tha se edhe në moshën e tij – 10 vjet mbi kufirin e rekrutimit – ushtarët e kanë ndaluar rregullisht dhe e kanë marrë në pyetje në Makiv.
Gjashtë javë më parë, ai pa ushtarët duke trokitur në derën e një fqinji, duke u ankuar se burri që jetonte atje kishte kërkuar të shkonte t’i thoshte lamtumirë gruas dhe nënës së tij dhe më pas ishte zhdukur. Një ushtar tha se ata “duhet ta kishin marrë menjëherë, ta kishin futur në autobus dhe të largoheshin,” kujtoi Hrebeniuk.
Skenarë të tillë e kanë lënë Polinën, 16 vjeçe, në ankth rreth asaj se sa kohë ka me babanë e saj – një nga të paktët burra që i plotësojnë kushtet për ushtar që kanë mbetur në fshat.
Verën e kaluar, Polina dhe shoqja e saj Olha po pushonin në një tavolinë jashtë dyqanit të fshatit kur babai i Olhës i telefonoi dhe i kërkoi asaj që të blinte diçka për të atje. Ajo e refuzoi kërkesën e tij, duke thënë se ishte e zënë me shoqet. Ai shkoi vetë në dyqan, dhe adoleshentet e tmerruara panë teksa ushtarët e rrethuan dhe i dhanë një fletëthirrje.
Ai ka qenë ushtar që atëherë – dhe vajza e tij fajëson veten. “Olha mendoi se ishte faji i saj,” tha Polina.
Tetiana Lychak, 32 vjeçe, mësuese në shkollën lokale, humbi burrin e saj në vijën e frontit në fund të vitit 2022. Djali i saj Max është vetëm 5 vjeç, por tashmë flet për t’u bashkuar me ushtrinë, tha Lychak, dhe ajo pyet nëse ajo gjithashtu duhet të bëjë diçka. Një nga kolegët e saj, një mësues që më parë udhëzonte nxënësit e shkollave të mesme në stërvitjet bazë të ushtrisë si pjesë e një kursi të quajtur “Mbrojtja e Ukrainës”, tani është dislokuar. Tre nxënës në klasën e tij kanë baballarë që shërbejnë në ushtri.
Maya Proskurivska, 63 vjeçe, po u fsheh të vërtetën për dhëndrin e saj, Oleksandrin, 41 vjeç, fëmijëve të tij, të cilët janë 8 dhe 14 vjeç. Dërguar për të luftuar në rajonin e Donetskut, ai është zhdukur që nga dhjetori, tha ajo, por fëmijët mendojnë se ai është konfirmuar si rob lufte. Këto ditë, tha ajo, “në rrugën tonë, është e vështirë të gjesh një djalë të ri”.
Në një pasdite të ftohtë të këtij muaji, Eleanora Voropanova, 4 vjeçe, po bënte xhiro me triciklin e saj lart e poshtë në rrugën e qetë jashtë shtëpisë së saj. Pasi e pyetën nëse prindërit e saj ishin në shtëpi, ajo ndaloi. “Mami është në shtëpi,” u përgjigj ajo. “Babi është në luftë.”
Nëna e saj, Tanya, 42 vjeçe, hapi portën. Brenda, nipi i saj, Bohdan, 25 vjeç, dhe shoku i tij Artem, gjithashtu 25 vjeç, kaluan nëpër oborr, dhe prenë prenë dru zjarri.
Kishin kaluar 16 muaj që kur Tanya kishte dëgjuar për herë të fundit nga bashkëshorti i saj, Serhii, i cili iu bashkua ushtrisë në mars 2022 dhe u zhduk ndërsa luftonte në nëntor. Një shoku ushtar i telefonoi në atë kohë dhe i tha asaj se kishte dy përditësime. “E para është se ai nuk është në mesin e të vdekurve,” kujtoi ajo duke thënë. “E dyta është se ai nuk është në mesin e të gjallëve.”
Ajo ka jetuar me pasiguri që atëherë – duke rritur e vetme dy vajza, tani 4 dhe 8 vjeçe. Kunati i saj, babai i Bohdanit, kishte frikë se do të luftonte dhe iku jashtë vendit – një vendim që ajo e përçmon.
“Ka njerëz të fshehur, që qëndrojnë në shtëpi, madje as që duan të shkojnë në dyqan,” tha ajo. “Unë pashë një makinë sot ku gruaja ishte në timon dhe burri ishte fshehur pas xhamave të zinj në pjesën e pasme.”
Të rinjtë që pastronin oborrin e saj pranuan se kishin frikë nga rekrutimi. Por Artemi tha se ai gjithashtu i përçmon urrat nga Ukraina lindore që erdhën në perëndim për t’u strehuar në vend që të qëndronin për të luftuar. “Ata erdhën këtu për t’u fshehur, dhe djemtë tanë duhet të vdesin atje,” tha ai. Babai i Artemit, i cili u rekrutua, tani po lufton pranë qytetit lindor të Lyman-it.
Në fund të rrugës në Makiv, në qytetin e vogël të Kamyanets-Podilsky-t, një galeri në rritje që nderon të vdekurit mbush një shesh kryesor. Çdo foto tregon fytyrën e një burri apo gruaje vendase të vrarë duke luftuar për Ukrainën.
Një mëngjes kohët e fundit, Lyuda Shydey qëndronte duke qarë para portretit të vëllait të saj më të vogël, Serhiy Kozynyak, i cili u vra në vitin 2022 në Avdiivka, një qytet që ra në duart e forcave ruse muajin e kaluar. Shydey nuk ka qenë kurrë në Ukrainën lindore, por ende ëndërron që një ditë të ecë zbathur në vendin ku ai vdiq.
“Dhe ëndrrat duhet të realizohen,” tha ajo. “Përndryshe, çfarë kuptimi ka të ëndërrosh?”/Washington Post


