Sulmuesi belg Eden Hazard njoftoi sot tërheqjen nga futbolli në moshën 32-vjeçare.
“Duhet të dëgjoni veten dhe të thoni stop në kohën e duhur. Pas 16 vitesh dhe më shumë se 700 ndeshjesh të luajtura, kam vendosur t’i jap fund karrierës si futbollist profesionist”, tha Hazard në Instagram.
“Arrita të realizoj ëndrrën time, kam luajtur dhe jam argëtuar në shumë fusha anembanë botës. Gjatë karrierës sime kam pasur fat të takoj menaxherë, trajnerë dhe bashkëlojtarë të mëdhenj. Faleminderit të gjithëve për këto çaste të mrekullueshme, do të më mungoni të gjithë”, shtoi ai.
Hazard gjithashtu falënderoi ish-klubet e tij – Lille, Chelsea dhe Real Madrid. Hazard, i cili fitoi titullin e Ligue 1 të Francës në vitin 2011 me klubin e tij të fëmijërisë Lille, u transferua te skuadra e Premierligës angleze, Chelsea në vitin 2012.
Ai fitoi dy trofe të UEFA Ligës Evropiane (2013, 2019), dy tituj të Premier Ligës (2015, 2017) dhe një Kupë FA (2018) me të kaltërtit.
Pas transferimit të tij në gjigantin e La Ligës spanjolle Real Madrid në vitin 2019, ai fitoi Ligën e Kampionëve 2022 dhe Kupën e Botës për Klube FIFA 2023 së bashku me dy tituj të La Ligës në 2020 dhe 2022.
Hazard gjithashtu shënoi 33 gola në 126 paraqitje për Belgjikën.


