
Skuadra e Liverpullit nuk arriti të kualifikohej në Ligën e Kampionëve sezonin tjetër, pasi e mbyllën Premier Ligën jashtë “Top-katërshes” më të mirë. Ky është sezoni i parë i plotë që trajneri Jurgen Klop nuk arrin të kualifikojë ekipin në Ligën e Kampionëve.
Barazimi emocionues 4-4 i së dielës ndaj Sautemptonit e zgjati serinë e pamposhtur të Liverpullit në 11 ndeshje. Klop pohoi se është “plot energji” dhe gati për të ringjallur skuadrën e “The Reds” sezonin e ardhshëm dhe se nuk ka kevojë për një vit pushim.
“Sinqerisht, jam plotësisht mirë. Nëse do të më pyesnit 11 ndeshje më parë, a doni të bëni një pushim, do të kisha menduar për këtë, të jem i sinqertë. Por unë jam absolutisht mirë, plot energji”, tha Jurgen Klop.
“Tani që sezoni përfundoi do të kem kohë për t’u ringjallur dhe rikuperuar energjitë dhe më pas do të fillojmë sërish në korrik nga e para. Jam më se i lumtur ta bëj këtë detyrë me Liverpulli. Do të rikthehemi sërish pretendentë sezonin tjetër”, tha Klop.


