
Mesfushori 21-vjeçar holandez Rajan Gravenberh, që luan me skuadrën e Bajern Munihut në Gjermani, u shpreh se do t’i kërkojë klubit të largohet në rast se trajneri Tomas Tushel nuk i jep shumë hapësira për t’u luajtur. I ardhur një vit më parë, Gravenberh nuk u ambientua si duhet me kampionatin gjerman.
Ai luajti 24 ndeshje në total me bavarezët, më së shumti si zëvendësues dhe pas vetëm një viti është gati të largohet (kontrata skadon në vitin 2027). Duke parë situatën, skuadra e Liverpullit është gati të mirëpresë Gravenberh dhe trajneri Jyrgen Klop ka dhënë miratimin e tij për këtë transferim. Vështirë se Bajerni do të lërë të largohet një lojtar kaq të ri, për të cilin pagoi 23 milionë euro verën e kaluar.
Për pasojë, klubet po punojnë për mundësinë e traneferimit në formë huazimi me të drejtë blerje për 20 milionë euro. Lajmin e konfirmoi e përditshmja britanike “The Mirror”. Trajneri Klop kërkon të ndërtojë një ekip me emra të rinj dhe talenti holandez konsiderohet një përforcim i rëndësishëm, duke parë disa largime që janë kryer këtë verë nga “The Reds”.
Duket se edhe vetë mesfushori holandez është i interesuar që ky transferim të ndodhë, pasi është i vetëdijshëm se të Bajerni do të jetë sërish zëvendësues.


