Sot (21 shkurt) shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e cila ka për qëllim të nxisë diversitetin gjuhësor dhe kulturor dhe shumëgjuhësinë në botë. Me këtë rast, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka bërë një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku ka bërë një apel për ruajtjen, pasurimin dhe përcjelljen e gjuhës shqipe, sidomos në kushtet kur shumë shqiptarë jetojnë në vende të ndryshme të botës dhe të një ndërveprimi të pandalshëm me gjuhët e tjera.
Presidenti ka vlerësuar shqiptarët që e kanë ruajtur dhe trashëguar gjuhën ndër shekuj, duke e konsideruar atë si pjesë thelbësore të identitetit tonë kombëtar. Ai ka përgëzuar në veçanti shqiptarët që ndër vite jetojnë jashtë vendit, prindërit dhe mësuesit, të cilët, krahas bashkëjetesës me kulturat e popujve të ndryshëm në shtetet ku jetojnë, arrijnë të ruajnë gjuhën amtare si identitet kombëtar.
“Është mbresëlënës dhe unikal çdo element që reflekton dashurinë për atdheun. Shqiptarët kudo në botë e ruajnë dhe e trashëgojnë gjuhën si pjesë thelbësore të identitetit tonë kombëtar. Sot, në Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, përgëzoj të gjithë ata prindër dhe mësues që përcjellin te fëmijët tanë “Gjuhën Shqype””, – shkruan Presidenti në Facebook.
Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Presidenti Begaj ka ndarë edhe një material filmik, ku fëmijë, lindur e rritur në shtete të ndryshme të botës, interpretojnë vargjet e poezisë “Gjuha Shqipe” të Ndre Mjedës. Ky material tregon se si gjuha shqipe është një trashëgimi e çmuar dhe e gjallë, që mbart vlerat dhe shpirtin e popullit shqiptar. Presidenti ka bërë thirrje për të kujtuar dhe nderuar figurat e shquara të letërsisë dhe gjuhësisë shqipe, që kanë kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës sonë. (politiko.mk)


