Kryebashkiaku aktual i Vlorës, Dritan Leli, i cili ka qenë i sulmuar shumicën e mandatit nga vetë socialistët që e zgjodhën, në 14 Maj zgjedh që të mbështesë përfaqësuesin e ish-familjes së tij politike, Ermal Dredhën.
Përmes një postimi në facebook, Leli uron që Dredha t’i shtojë qytetit energjinë e turizmit që duhet të shtrihet në çdo muaj të vitit.
Postimi i plotë i Dritan Lelit:
Përpara të gjitha sfidave dhe stereotipit të ashpërsisë që shfaq për së pari Vlora, për kë nuk ia njeh zemrën e butë, Ermal Dredha, kandidati i Partisë Socialiste për të drejtuar bashkinë e qytetit, në prag të mandatit, është gati.
Është gati prej venave të historisë që ai dhe familja e tij i njeh qytetit, prej gatishmërisë që përvoja administrative i ka dhuruar ndër vite dhe është gati prej dëshirës për të shpënë përpara të gjitha qëllimet zhvilluese të qeverisë shqiptare që sot e gjithë ditën janë bërë e po bëhen në Vlorë.
Prandaj, bashkë me mirënjohjen për ç’jetova këto tetë vite e mundësinë e pashlyeshme që m’u dha për t’i shërbyer këtij qyteti, si asnjë i dytë, i uroj Ermalit t’i shtojë shpirtit të këtij vendi të bekuar, energjinë e turizmit që duhet të shtrihet në çdo muaj të vitit sepse nuk ka tjetër si ajri i këtij deti që qetohet mes një ishulli e gadishulli, përballë jetës.



