Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca u takua këtë pasdite me kryeministrin Edi Rama.Takimi në kryeministri kishte në fokus Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
Soreca shprehu mbështetje të plotë të BE-së ndaj Shqipërisë. Ky është takimi i parë i Sorecës me Ramën që pas riemërimit të tij nga BE në Tiranë.
Kujtomë se Luigi Soreca është rikthyer zyrtarisht me detyrë në Shqipëri, pasi shërbeu si ambasador i Bashkimit Evropian gjatë viteve 2018-2022.
Soreca është rikthyer në Shqipëri duke marrë postin e të ngarkuarit me punë në krye të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.
Në 2018, Luigi shërbeu si Drejtor për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme (DG HOME). Drejtoria është përgjegjëse për zhvillimin e politikave kundër drogës, luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të tjera të rënda dhe promovimin e zbatimit të ligjit.
Soreca ka shërbyer gjithashtu si përgjegjës për koordinimin e Dialogëve për Liberalizimin e Vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke çuar në liberalizimin e vizave në Shqipëri në vitin 2010.
Postimi:
Ambasadori Luigi Soreca u takua sot me Kryeministrin Edi Rama në fillim të mandatit të tij të përkohshëm si i Ngarkuari me Punë a.i. në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Në një moment kyç për zgjerimin e BE-së dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Ambasadori Soreca konfirmoi mbështetjen e plotë të BE-së për Shqipërinë për të konsoliduar progresin e arritur deri tani, intensifikimin e mëtejshëm të procesit të reformave në muajt në vijim dhe thellimin e transformimit të vendit në rrugën e tij drejt #BE-së
.
Gjithashtu u diskutua për përgatitjen e Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit në #Tiranë
.


