
Spanja ka marrë sot udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, të cilën do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti. Kryeministri Pedro Sanchez e filloi presidencën e Spanjës të Bashkimit Evropian duke vizituar Kievin. Përveç Ukrainës, Spanja shpreson të bëjë përparim në disa çështje kryesore të BE-së gjatë presidencës së saj, e cila përfundon më 31 dhjetor. Vitin e ardhshëm, presidencën e BE-së do ta kenë Belgjika dhe Hungaria. Ndërkohë është e paqartë se si do të vazhdohet puna lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim gjatë gjashtëmujorit të presidencës së Spanjës si vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Një ditë më parë, ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, theksoi se qëndrimi i vendit të tij është i qartë: Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa mbështet tentimet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron. /Alsat.mk


