-Kurti u takua ditë më parë me Ali Ahmetin në Shkup, e tash me opozitarët shqiptarë, ndaj dhe takimet e këtilla duhet të jenë rutinë dhe normale midis përfaqësuesve të subjekteve shtetërore e politike, e jo të përdoren për marketing politik

Shkup, 31 janar/indeks.mk-

Një foto e përbashkët e liderëve të partive opozitare shqiptare nga Maqedonia me kryeministrin e dhe kryeparlamentarin e Kosovës zbardhi në rrjetet sociale të këtyre të parëve. Ndryshe nga më herët kur takoheshin me ndonjë përfaqësues të LVV-së, kësaj radhe nuk ka ndonjë formulim në të cilin do të shkruhej se LVV-ja, ose madje vetë kryeministri Kurti e përkrahin këtë opozitë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, siç kishte kohë më parë.

Kjo, ndryshe nga disa paraqitje të mëparshme, kur ndonjë takim me ndonjë përfaqësues të LVV-së, shfrytëzohej për të thënë se LVV-ja i shpreh përkrahje opozitës.
Ky ndryshim nuk është i rastit.

Se LVV-ja a merr pjesë a nuk merr në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, këtë e ka thënë në mënyrë decide edhe lideri i saj dhe kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, vetëm para pak ditësh, në takimin në Shkup me liderin e BDI-së, Ali Ahmetin. Një veprim i kundërt, do të ishte i pashembullt për besueshmërinë në fjalë dhe në vepra, ndaj dhe e marrim si të mirëqenë qëndrimin neutral. Mirëpo, nuk mund të mbyllen gojët e botës aq lehtë. Çështjen mund ta shikojmë edhe nga këndvështrimi i skenave e prapaskenave të politikëbërjes shqiptare dhe strategjive politike.
Në këtë kontekst, edhe takimet protokollare, mund të shfrytëzohen për marketing politik nga njëra palë, ndonjëherë edhe pa vullnetin e palës tjetër. Nëse Kurti e Ali Ahmeti janë takuar vetëm disa ditë më parë, e pastaj Kurti e Konjufca kanë pritur në Prishtinë liderët opozitarë të Maqedonisë, kjo normalisht mund të shikohet nga këndvështrimi i takimeve protokollare që kanë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës me subjektet shqiptare jashtë Kosovës. Nëse takime janë bërë edhe me përfaqësuesit e Partisë në pushtet(BDI) dhe ata të opozitës, a do të thotë se të dyja këto mund të dalin dhe të thonë se i përkrah Kurti dhe LVV-ja?

Do të ishte një keqkuptim, për të mos thënë, keqinterpretim i takimeve. Edi Rama, Bajram Begaj, ose Vjosa Osmani apo Albin Kurti janë përfaqësues të dy shteteve tona të rajonit, të cilat me këdo që të takohen, duhet të kuptohet si një lloj kujdesi dhe interesi ndaj shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe Kosovës. Dikush me keqdashje, e dikush me dashamirësi, këtë edhe mund ta quajnë paternalizëm. Iu takon si shtete që ta bëjnë këtë, sidomos Shqipërisë. Duke u njoftuar për gjendjen dhe problemet e shqiptarëve të rajonit, ato si shtete kujdesin e tyre mund ta shprehin pastaj edhe në nivel komunikimi ndërshtetëror. Hapi që mund të bëjnë këto subjekte në drejtim të involvimit në jetën politike të shqiptarëve, madje me qëllim dhe të ndikimit, është diçka krejtësisht tjetër. Përvoja deri tash njeh këso situatash, por nëse do të vlerësonim për efektin e tyre, ai ka qenë vetëm negativ që ka krijuar pa nevojë ndasi.

Bie fjala, njihet afërsia e Ramës me Hashim Thaçi dhe animoziteti midis Sali Berishës dhe Thaçit. Kemi ndërhyrjen e Sali Berishës në PPD dhe përkrahjen e hapur ndaj njërit krah të saj, që çoi në përçarjen dhe ndarjen e kësaj partie, e cila edhe pa këtë ndërhyrje do të mund të përçahej! Ka pasur një afërsi më të madhe midis Ali Ahmetit me Hashim Thaçin dhe të Menduh Thaçit me Ramush Haradinajn…Të gjitha këto mund të kenë qenë edhe relacione në baza partiake, por që kjo është reflektuar për të keq në marrëdhëniet institucionale. Sepse, afërsia midis partive, me ndërrimin e roleve e komplikon rivendosjen e komunikimit institucional. Një nga ato situata që kanë mbetur në kujtesë, është e ashtuquajtura Platformë e Tiranës, ku u shpreh gatishmëria e kryeministrit Rama për të moderuar në tejkalimin e mërive personale të partive shqiptare të Maqedonisë për shkak të një interesi të përbashkët.

Këto janë gjëra që duhet t’i pastrojnë subjektet politike e shtetërore në këto tri vende dhe të vlejë një parim, që për mendimin tonë, duhet të jetë bashkëpunimi institucional, e jo ndërpartiak. Ndaj dhe këto spekulimet, ku të hapura, ku prapa skene, për involvimin e LVV-së në zgjedhjet e Maqedonisë, i rikthejnë këto dilema të kahershme për dëmin që mund të shkaktojnë në përçarjen e elektoratit. Në këtë kontekst, bashkëpunimi institucional i subjekteve që janë në pushtet, nuk mund të jetë i njëjtë me ndërhyrjen në çështjet e zgjedhjeve dhe këtu frika e opozitës është e paarsyeshme, sepse ai komunikim midis pushteteve është krejt i natyrshëm dhe pa ndikim në fushën e zgjedhjeve.