Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pasi Kuvendi dhe ai vetë i dhanë dritën jeshile kërkesës së SPAK, për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Rama shkruan përmes një postimi në Twitter se pasditen e sotme do të ketë një qëndrim në lidhje me votimin në Kuvend.
Kjo është hera e parë që Rama reagon, pasi SPAK dorëzoi një javë më parë në Kuvend kërkesën për arrestimin e Arben Ahmetajt, i dyshuar për 3 vepra penale, që lidhen me aferën e inceneratorëve.
Kryeministri Edi Rama në Twitter: Pasdite në 18.30 do t’i drejtohem opinionit publik me një adresim për votimin e sotëm në Kuvend.
Me 117 vota pro dhe tre abstenim, Kuvendi i ka dhënë dritën jeshile arrestimit të Arben Ahmetajt, deputetit socialist dhe njëherësh ish-zv.kryeministër.
Mes deputetëve që votuan pro arrestimit të Arben Ahmetajt ishte dhe vetë kryeministri Edi Rama.
3 deputetët që abstenuan janë Vangjel Dule, Agron Duka dhe Fatmir Mediu.
Votimi:
120 deputetë prezentë në sallë
117 pro
3 abstenim
Asnjë kundër

Me këtë hap të Kuvendit, tashmë SPAK pritet të urdhërojë arrestimin e Ahmetajt dhe kontrollin e banesës së tij, ndërkohë që ish-numri 2 i qeverisë është larguar jashtë vendit, disa ditë përpara se SPAK të kërkonte autorizim në Kuvend.
Nëse Ahmetaj nuk do të gjendet në banesë, siç janë edhe gjasat që të ndodhë, ai pritet që të shpallet në kërkim kombëtar dhe më pas ndërkombëtar.
Vetë ish-zyrtari i lartë socialistë, në një reagim të bërë sot në rrjetet sociale, mohoi akuzat për përfshirjen e tij në tenderimet e inceneratorëve, e madje paralajmëroi se ditë pas dite do të zbardhë të vërtetën e tij.
(E.K/Faxweb.al)


