
Pavarësisht zërave të javëve të fundit se mesfushori 20-vjeçar gjerman Xhamal Musiala nuk po rinovon me Bajern Mynih, duket se talenti nuk do të lërë së shpejti bavarezët. Sipas “Bild”, lojtari pritet të jetë në Munih edhe sezonin tjetër. Kontrata e Musiala me Bajernin skadon në vitin 2026 dhe kostoja e kartonit të tij i kalon 100 milionë euro. Pavarësisht kësaj, Man. Siti dhe Real Madrid janë vënë në gjurmë të mesfushorit dhe nuk i tremben kësaj shifre.
Për momentin lojtari po luan me “dy porta”, duke premtuar se do të qëndrojë në Munih dhe, nga ana tjetër, duke u shkelur syrin ekipeve të mëdha në Europë. Të paktën deri verën e ardhshme ai do të veshë fanellën e bavarezëve, ndërkohë që Reali e Man. Siti presin ndonjë zhvillim të ri.
Pas një viti vlera e kartonit të Musiala mund të ulet, duke qenë se do t’i afrohet fundit të kontratës dhe duket se ndaj “qytetarët” dhe “Los Blankos” nuk po nxitohen. Gjithsesi, edhe te Bajerni po punojnë për t’ia rinovuar kontratën deri në vitin 2028.


