
Më 12 tetor, Shqipëria luan një finale të vërtetë në “Air Albania”, aty ku pret Çekinë. Një fitore do t’i afronte edhe më shumë “kuqezinjtë” me Europianin e vitit 2024 që zhvillohet në Gjermani. Trajneri Sylvinho nuk I shmanget traditës që të sjellë rrisi. Një i tillë konsiderohet padyshim grumbullimi i sulmuesit që aktivizohet në Serie A me Frosinonen, Marvin Çuni.
22-vjeçari që kaloi këtë verë në elitën italiane nga skuadra e dytë e Bajern Munihut, ka fituar minuta dhe është aktivizuar në gjashtë nga shtatë ndeshjet e zhvilluara deri më tani në Serie A, dy prej të cilave i ka nisur si titullar (ato ndaj Napolit dhe Romës).
Çuni bëhet për herë të parë pjesë e ngjyrave kuqezi, ndërsa do të jetë një alternativë më shumë për trajnerin Silvinjo në repartin ofensiv. Ndërkohë, pritet që në këtë grumbullim të rikthehet edhe Armando Broja i cili ka lënë pas dëmtimin dhe në ndeshjen e fundit me Çellsin gjeti edhe rrugën e rrjetës. Vlen të theksohet se për Brojën do të jetë grumbullimi i parë nën urdhrat e Silvinjos.


