Afatet ligjore sa vijnë e ngushtohen, duke i lënë Kuvendit hapësirë kohore prej katër muaj. Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka deklaruar se procedura parlamentare mund të nis paralelisht me dialogun politik kah mesi i këtij muaji. Por, nëse në votimin e parë nuk sigurohen 80 vota, atëherë procedura rrezikon të ndërpritet. Edhe eksperti juridik Selmani konsideron se procedura duhet nisur, ndërkohë sipas tij do të sigurohet edhe shumica e nevojshme për të votuar.
“Afati kohor nuk lejon manipulime dhe keqpërdorime për interesa politike, prandaj duhet detyrimisht të fillohet procedura. Jam shumw i bindur se edhe faktori ndërkombëtarë do të bëj presion ndaj VMRO–së për t’i përkrahur të gjitha këto ndryshime për arsye se janë në interesin edhe të shtetit edhe të popullit maqedonas, por edhe vetë Ballkanit me intereset dhe përplasjet që aktualisht janë në mes shteteve fqinje.”, tha Selmani.
Grupi i punës më 26 maj miratoi propozim iniciativën për ndryshimet kushtetuese. Në të thuhet që përpos bullgarëve në premabulën e kushtetutës do të përfshihen edhe populli kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptas. Ndryshimi i preambulës së kushtetutës garanton nisjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në.